Dita e Vlerësimit të Vaginës: 5 arsye për ta festuar
Nga Alessia Kish · Themeluese dhe CEO
23 prilli është Dita e Vlerësimit të Vaginës. Ja 5 arsye për të thyer tabutë, për ta njohur më mirë trupin tënd dhe për ta vlerësuar çdo ditë të vitit.

23 prilli është Dita e Vlerësimit të Vaginës: një rast për të thyer tabutë, për ta njohur më mirë trupin tënd dhe për të vlerësuar larminë e tij. Ja 5 arsye për ta festuar, jo vetëm sot.
Nëse je pjesë e komunitetit KYSH, ndoshta për këtë ditë po dëgjon për herë të parë. Dita e Vlerësimit të Vaginës nuk është nga ato data që i gjen zakonisht në kalendar apo që bëhen temë bisede gjatë një kafeje. Një pjesë e ngurrimit lidhet me vetë emrin. Fjala “vaginë” ende shmanget ose zëvendësohet me shprehje të paqarta e emërtime fëmijërore. Mjafton ta thuash me zë të lartë mes njerëzve dhe biseda mund të ndërpritet nga një heshtje e sikletshme.
Pikërisht këtu nis çështja: fjalët kanë rëndësi. Mënyra si flet për trupin tënd tregon edhe marrëdhënien që ke me të. Kjo ndrojtje shpesh shoqërohet me paqartësi për anatominë femërore, përfshirë dallimin mes vaginës dhe vulvës. Pas tyre qëndrojnë vite heshtjeje, tabush dhe mungese edukimi. Pasojat nuk mbeten vetëm te fjalët: kur nuk e njeh mirë trupin tënd, mund ta kesh më të vështirë të kuptosh sinjalet e tij, të dallosh çfarë është e zakonshme për ty dhe të përjetosh kënaqësi.
Kjo mungesë njohjeje lidhet edhe me hendekun e orgazmës – dallimin mes burrave dhe grave në shpeshtësinë me të cilën përjetojnë orgazëm gjatë marrëdhënieve heteroseksuale. Ndër faktorët që ndikojnë janë njohuritë e kufizuara për anatominë femërore dhe një kulturë që e ka lënë gjatë në hije kënaqësinë e gruas. Kur edukimi seksual mungon ose është i pamjaftueshëm, është e lehtë të rritesh me ide të gabuara për mënyrën si “duhet” të duket trupi yt, për formën “e duhur” të vulvës apo për atë që do të thotë të përjetosh kënaqësi.
Të flasësh hapur për vaginën, pra, nuk është thjesht çështje fjalësh. Është një mënyrë për ta njohur më mirë trupin tënd dhe për t’u ndier më e sigurt në marrëdhënien me të. Dita e Vlerësimit të Vaginës të kujton pikërisht këtë. Ja 5 arsye për ta festuar.
Vagina di të kujdeset për veten
Kanali vaginal ka mekanizmat e vet të pastrimit. Ai ndryshon nga vulva, pjesa e jashtme ku përdoren produktet kozmetike të kujdesit intim. Bakteret e dobishme, si laktobacilet, ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit vaginal dhe në mbrojtjen nga infeksionet. Ndërkohë, sekrecionet dhe mukusi largojnë natyrshëm qelizat sipërfaqësore, si pjesë e ripërtëritjes së vazhdueshme të indit vaginal.
Asgjë nuk mund të humbasë përtej saj
Historitë për tampone apo objekte që “humbasin” brenda trupit nuk përputhen me anatominë. Vagina nuk është një tunel pa fund: në skajin e saj ndodhet qafa e mitrës, me një hapje shumë të ngushtë që zgjerohet në rrethana të caktuara, si gjatë lindjes. Një tampon mund të mbetet brenda vaginës, por nuk mund të kalojë përmes qafës së mitrës e të humbasë në trup.
Ajo ndryshon dhe përshtatet
Gjatë eksitimit seksual, qarkullimi i gjakut rritet dhe vagina zgjerohet e zgjatet për t’iu përshtatur depërtimit. Ky ndryshim natyror ndihmon në rehati dhe kënaqësi. Është një nga mënyrat se si trupi yt reagon dhe përshtatet me atë që përjeton.
Është e fortë dhe elastike
Indet vaginale janë elastike dhe të afta të përshtaten me ndryshimet që sjellin fazat e jetës. Lindja, luhatjet hormonale, marrëdhëniet seksuale dhe menopauza ndikojnë në këtë pjesë të trupit. Nevojat dhe ndjesitë e tua mund të ndryshojnë me kohën; ta vlerësosh trupin tënd do të thotë edhe t’u kushtosh vëmendje këtyre ndryshimeve.
Çdo vulvë është unike
Nuk ka një pamje të vetme “të saktë” për vulvën. Forma, madhësia, simetria dhe ngjyra ndryshojnë nga një person te tjetri. Buzët e vulvës mund të jenë më të zgjatura ose më të shkurtra, asimetrike dhe me palosje të ndryshme. Kjo larmi është e natyrshme. Ta njohësh të ndihmon ta pranosh trupin tënd pa krahasime të panevojshme dhe pa presionin për t’iu përshtatur një modeli pamjeje.
Dita e Vlerësimit të Vaginës ka kuptim edhe përtej 23 prillit. Është një kujtesë për ta njohur trupin tënd, për ta respektuar dhe për t’u kujdesur për të çdo ditë. Të vlerësosh veçantitë, forcën dhe aftësinë e tij për t’u përshtatur, pa e gjykuar për çdo detaj. Mund të nisësh nga diçka e thjeshtë: t’i quash pjesët e trupit me emrin e tyre, pa turp.
